Vuno, Himarë
Policia e Himarës, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, i vjen në ndihmë dy turistëve nga Gjermania, të cilat mbetën të bllokuara në zonën e quajtur “Gropat e Bufit” në Vuno.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas marrjes së njoftimit nga salla operative Vlorë për dy turistët që kishin kërkuar ndihmë, organizuan punën për t’u ardhur në ndihmë.
Shërbimet e rendit, së bashku me forcat zjarrfikëse të Himarës, mbërritën në vendin e dhënë dhe nisën menjëherë kërkimet. Pas 4 orësh, në kushte të vështira atmosferike, arritën të lokalizojnë turistet dhe menjëherë ju ofruan ndihmën e nevojshme. Pas gjetjes, të dyja turistet gjermane ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe shprehën mirënjohjen e tyre për shërbimet që reaguan menjëherë dhe ju ofruan ndihmën e nevojshme.
Policia e Himarës garanton se është gjithmonë pranë qytetarëve dhe vizitorëve, gati për të ofruar ndihmë në çdo rast emergjent. Për çdo situatë të ngjashme, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin pa pagesë 112.