Vlorë
Ndihmësspecialistët për Edukimin në Shkolla pranë DVP Vlorë zhvilluan një takim informues me nxënësit e klasave të XII-ta në Gjimnazin publik “Jani Minga”, me fokus promovimin e mundësive të studimit dhe karrierës në Akademinë e Sigurisë.
Gjatë këtij aktiviteti, maturantët u njohën në mënyrë të detajuar me kriteret dhe procedurat e aplikimit për në Akademinë e Sigurisë, fazat e konkurrimit, testimet fizike dhe me shkrim, si dhe dokumentacionin e nevojshëm për regjistrim. Përfaqësuesit e Policisë prezantuan programet e studimit që ofron institucioni, strukturën akademike, disiplinën dhe formimin profesional që përfitojnë studentët gjatë viteve të studimit.
Në bashkëbisedim të hapur me nxënësit, u theksua rëndësia e përgatitjes fizike, integritetit moral dhe përkushtimit ndaj ligjit, si elementë thelbësorë për një karrierë të suksesshme në radhët e Policisë së Shtetit. Gjithashtu, u diskutua mbi përfitimet që ofron ndjekja e studimeve në Akademinë e Sigurisë, përfshirë punësimin pas përfundimit të studimeve, mundësitë e specializimeve të mëtejshme dhe avancimit në detyrë.
Nxënësit shfaqën interes të lartë, duke adresuar pyetje lidhur me jetën studentore, kohëzgjatjen e studimeve, kushtet e qëndrimit dhe perspektivat e zhvillimit profesional brenda strukturave të sigurisë publike.
Takimi u zhvillua në një klimë bashkëpunimi dhe transparence, duke synuar motivimin e të rinjve për t’iu bashkuar forcave të rendit dhe për të kontribuar në sigurinë dhe rendin publik. DVP Vlorë do të vijojë takime të tilla ndërgjegjësuese dhe informuese në institucionet arsimore të qarkut, me qëllim afrimin e të rinjve drejt një karriere me përgjegjësi dhe dinjitet në shërbim të komunitetit.




