DVP Vlorë/Vijon operacioni policor i koduar “Piqeras”, shkon në 5 numri i të arrestuarve.
Vihet në pranga një 23-vjeçar, bashkëpunëtor me 4 shtetasit e arrestuar në 2 fazat e mëparshme të këtij operacioni.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Piqeras”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. N., 23 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetasit P. N. (vëllai i tij), N. N., R. R. dhe K. Sh, të arrestuar më parë, gjatë dy fazave të operacionit policor të koduar “Piqeras”, për sigurimin e transportimit të emigrantëve, kundrejt fitimit, drejt Shkodrës, me qëllim kalimin në Malin e Zi, me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.