Qarku Vlorë
U konstatuan duke ushtruar aktivitet me muzikë, në kundështim me rregullat e përcaktuara, procedohen penalisht administratorët e 3 subjekteve në Vlorë dhe në Ksamil.
Sekuestrohen pajisjet që gjeneronin muzikën.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të komisariateve në varësi vijojnë kontrollet në të gjithë qarkun Vlorë, për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, duke monitoruar subjektet që vijojnë me organizimet e aktiviteteve me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje ose në kundërshtim me normat e lejuara të vendosura nga organet kompetente.
Si rezultat i kontrolleve, gjatë fundjavës, në Vlorë u konstatua një subjekt (lokal) ku gjenerohej muzikë jashtë orarit të përcaktuar, duke prishur qetësinë publike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisjet që gjeneronin muzikën.
Po si rezultat i këtyre kontrolleve, në Ksamil u konstatuan dy subjekte (lokal dhe beach-bar) ku gjenerohej muzikë në tejkalim të normave të lejuara dhe jashtë orarit të përcaktuar, duke prishur qetësinë publike.
Për të trija rastet u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, për administratorët e subjekteve, shtetasit D. M., 36 vjeç, A. M., 32 vjeç dhe E. C., 37 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë administratorët e subjekteve, që të zbatojnë oraret e përcaktuara dhe të mos prishin qetësinë publike, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët.