Vlorë/Si rezultat i kontrolleve të shtuara në terren, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas, njëri i dënuar me 3 vite burg për mashtrim dhe 2 për thyerje të masës së sigurisë.
-Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë vijojnë punën intensive për kapjen e shtetasve në kërkim, ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe kontrollin e zbatimit të masave të sigurisë ndaj shtetasve që janë në hetim apo të dënuar.
Në këtë kuadër, nga Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko–Financiare në DVP Vlorë, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Silvester alias Marsel Toska, 39 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Vlorës, e ka dënuar me 3 vite burgim, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese.
-Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, gjatë kontrollit të territorit, konstatuan në rrugë shtetasin G. S., 50 vjeç, banues në Vlorë, i cili kishte dalë nga banesa, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës që i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Shërbimet e Policisë e shoqëruan këtë shtetas në Komisariatin e Policisë Vlorë, ku më pas u kryen procedurat për arrestimin e tij në flagrancë, pasi kishte thyer masën “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Vlorës, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
-Gjithashtu, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” konstatuan jashtë banesës së tij shtetasin L. H., 42 vjeç, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Vlorës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ky shtetas u shoqërua në Komisariatin e Policisë Vlorë, ku më pas u kryen procedurat për arrestimin e tij në flagrancë. 42-vjeçari i arrestuar edhe në muajin qershor, pasi është konstatuar sërish duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Materialet procedurale për këto raste i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.