Vlorë/Në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, goditet një tjetër rast i mbajtjes së armëve, pa leje.
Qarkullonte me automjet, i armatosur me armë zjarri, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 39-vjeçari.
Finalizohet nga Sektori i Krimeve të Rënda i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Strike 13”.
Policia sekuestroi 1 armë zjarri pistoletë, me krehër me municion luftarak.
Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas lëvizte i armatosur, në lagjen “29 Nëntori”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 13”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
- M. H., 39 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Opel”, me të cilin lëvizte 39-vjeçari, dhe kanë ushtruar kontroll, gjatë të cilit, në pjesën e kroskotit, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.