Vlorë / Vijojnë goditjet kundër armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Qarkullonte me armë zjarri me vete, vihet në pranga 25-vjeçari edhe një shtetas tjetër për moskallëzim krimi.
Sekuestrohen armë zjarri (pistoletë), municion luftarak, lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, maskë plastike, 4 aparate celularë dhe një automjet.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në DVP Vlorë në bashkëpunim edhe me Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri dhe bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë ndaluar për kontroll një automjet tip “Benz”, në rrethrrotullimin e bypass-it, në fshatin Babicë e Madhe.
Automjeti drejtohej nga shtetasi F.H., 25 vjeç, banues në Vlorë, ndërsa pasagjer ishte shtetasi D.A., 25 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit F.H., në çantën e tij marsup iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri (pistoletë) me një krëhër me 5 fishekë.
Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan 20 fishekë luftarakë, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa si dhe një maskë plastike.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 aparate celularë dhe automjeti i këtij shtetasi.
Në përfundim të veprimeve procedurale:
u arrestuan shtetasit
* F.H., për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
• D.A., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, vijojnë hetimet për këta shtetas, si dhe për verifikimin e përfshirjes së tyre të mundshme në ngjarje të tjera kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
