Vlorë
Policia Kufitare Vlorë, në bashkëpunim me Rojen Bregdetare, u vijnë në ndihmë disa shtetasve të huaj, të cilëve ju rrezikua jeta, pasi veliera e tyre pësoi defekt gjatë lundrimit pranë ishullit të Sazanit.
Gjatë mbrëmjes së sotme, Policia Kufitare Vlorë u njoftua nga Qendra Ndërlidhëse për Operacionet Detare, se në afërsi të ishullit të Sazanit ndodhej në rrezik një mjet lundrues tip velier, me flamur të huaj, i nisur nga Italia me destinacion Kroacinë. Veliera kishte pësuar defekt në motor dhe për shkak të dallgëzimit dhe afërsisë me shkëmbinjtë, rrezikonte përmbytjen dhe përplasjen në breg.
Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, në bashkëpunim me Rojen Bregdetare, ndërhynë me shpejtësi duke u ardhur në ndihmë shtetasve të huaj që ndodheshin në bord. Falë reagimit të koordinuar dhe të menjëhershëm, u bë e mundur shpëtimi i këtyre shtetasve pa pasoja për jetën dhe transportimi i tyre i sigurt drejt bregut.
Të gjithë personat në bord u konstatuan në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa u bë i mundur edhe tërheqja e velierës në SPK Triport, Vlorë.
Policia Kufitare vijon të jetë në shërbim të qytetarëve dhe turistëve, duke garantuar sigurinë në hapësirat detare dhe ndihmën e menjëhershme në çdo situatë emergjente.