Vlorë
Kundërshtoi me dhunë punonjësin e Policisë gjatë detyrës, procedohet penalisht drejtuesi i mjetit.
Gjatë kontrollit të ushtruar, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis dhe një mjet prerës (thikë).
Pas konstatimit të një shkeljeje të Kodit Rrugor nga një drejtues mjeti, në vendin e quajtur “Rrethi i Çolës” (rast ky i bërë edhe publik në disa media), punonjësi i Policisë së Qarkullimit Rrugor e ka njohur drejtuesin, shtetasin L. Sh., me shkeljen e kryer nga ana e tij. Punonjësi i Policisë është hasur fillimisht me kundërshtim me fjalë dhe më pas me kundërshtim me veprime të dhunshme nga shtetas L. Sh. Në këto kushte, është bërë menjëherë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Në përfundim të veprimeve proceduriale, nga Oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë, nisi procedimi penal në ngarkim të shtetasit L. Sh., 45 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
