Vlorë – I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, qarkullonte duke ndryshuar disa herë gjeneralitetet për t’i shpëtuar policisë, por falë shkëmbimit të informacionit mes Policisë Kufitare, DVP Vlorë dhe Interpol Tirana, vihet në pranga në Portin e Vlorës, nga ana e Policisë Kufitare, 43-vjeçari nga Vlora.

Në kuadër të shtimit të masave për parandalimin, goditjen e paligjshmërisë dhe kapjen e personave në kërkim, shërbimet e Policisë Kuiftare kanë kaluar për intervistim më të thelluar një shtetas që gjatë deklarimeve ka krijuar dyshime për saktësinë e gjeneraliteteve.

Pas intervistimit të thelluar dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit të ngushtë me Interpol Tirana dhe DVP Vlorë, u bë i mundur saktësimi i gjeneraliteteve, konkretisht shtetasi Eriton Panajoti, 43 vjeç, banues në Vlorë, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili për t’i shpëtuar kapjes së policisë ka ndryshuar disa herë gjeneralitetet.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Romës, me vendimin e datës 22.09.2009, e ka dënuar këtë shtetas me rreth 11 vite burg për veprat penale “Rrëmbim personi”, “Përdhunim”, “Grabitje” dhe “Vjedhje”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian. (Këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur 7 vite e 8 muaj e 20 ditë burg).

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijojnë veprimet e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi drejt shtetit italian.