Vihet në pranga pronari i lokalit.
Në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, për goditjen e rasteve të organizmit të lotarive të palejuara dhe vënien në dispozicion të lokaleve për ushtrimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme, duke fshehur të ardhurat, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë vijuar kontrollet e vazhdueshme në lokale dhe ambiente të ndryshme.
Si rezultat i kontrolleve në lokalin në pronësi të shtetasit A. D., në lagjen “Osman Haxhia”, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe goditur një rast të vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara, ku gjetën dhe sekuestruan një kompjuter që përdorej për vënien e basteve sportive.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Vlorë u arrestua në flagrancë pronari i lokalit, shtetasi A. D., 54 vjeç, banues në lagjen “Lirim”, Vlorë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.