Vlorë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Strike 17”

Vlorë/Vijojnë puna e inteligjencës policore dhe kontrollet intensive të shërbimeve, për të garantuar sundimin e ligjit në territor.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Strike 17”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Mbante në banesë, armë zjarri pistoletë, armë sportive dhe doza cannabisi, arrestohet në flagrancë 24-vjeçari.

Sekuestrohen armët, municioni luftarak dhe dozat e lëndës narkotike.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, se një shtetas mbante armë dhe lëndë narkotike, në banesën e tij, në lagjen “Pavarësia”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Vlorë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Strike 17”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

R. B., 24 vjeç, banues në Vlorë.

Nga kontrollet në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë sportive, municion luftarak për to dhe doza të lëndës narkotike cannabis sativa.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.