Vlorë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Otima”

Vijojnë operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim, si dhe për goditjen e paligjshëmrisë.

Operacioni, i zhvilluar nga Stacioni i Policisë Selenicë, Komisariati i Policisë Vlorë dhe Forca e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë.

I shpallur në kërkim për 10 kg kanabis dhe municion luftarak, kapet dhe vihet në pranga 62-vjeçari, i cili u kap duke kultivuar sërish bimë narkotike.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Policisë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Otima”, në kuadër të të cilit u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim:

-P. Rr., 62 vjeç, banues në Selenicë, pasi shërbimet e Policisë, më datë 26.08.2021, si rezultat i kontrolleve të imtësishme, i gjetën në banesë dhe i sekuestruan 10 kg lëndë narkotike kanabis, disa bimë kanabisi të kultivuara dhe një sasi municioni luftarak.

Në vijim të veprimeve për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 16.09.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në oborrin e banesën së 62-vjeçarit, në Selenicë, në kuadër të operacionit “Otima”, iu gjetën të kultivuar disa bimë të dyshuara narkotike cannabis, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.