Vlorë/Finalizohet nga strukturat e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, operacioni policor i koduar “Brindisi”.
Kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike.
Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, të DVP Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bashkëpunim me Interpol Tirana, mbështetur dhe në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Brindisi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit:
Abaz Mamo, 27 vjeç, banues në fshatin Çepeat, Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Brindisit, Itali, e ka dënuar me 3 vjet, 6 muaj e 3 ditë burgim, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.