Vlorë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Vlorë, operacioni policor “Basti i Fundit”, zbulohet një rast i lojërave të fatit dhe basteve sportive në një lokal.
Vihet në pranga njëri nga organizatorët e këtij aktiviteti të paligjshëm dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Procedohet penalisht edhe një 21-vjeçar, për moskallëzim krimi.
Sekuestrohen pajisje të përdorura për organizimin e lojërave të fatit dhe basteve sportive.
Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve të shtuara dhe hetimeve për goditjen e paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizoi dhe finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Basti i Fundit”, gjatë të cilit u evidentua një rast ku zhvillohej veprimtari e jashtëligjshme me baste sportive dhe lojëra fati, në një lokal në lagjen “Osman Haxhiu”, në qytetin e Vlorës.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit J. P., 32 vjeç, banues në Vlorë si dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. Ll., 41 vjeç, banues në Vlorë, për të cilin vijon puna për kapjen e tij.
Shtetasi Xh. Ll. dyshohet se, në ambientet e lokalit të tij, në bashkëpunim me shtetasin e arrestuar J. P., organizonin lojëra fati të paligjshme dhe baste sportive, përmes kompjuterave dhe pajisjeve të tjera elektronike.
Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. Ç., 21 vjeç, banues në fshatin Babicë e Madhe, kamarier në këtë lokal, pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari të jashtëligjshme dhe nuk e kishte kallëzuar.
Gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan disa kompjuterë dhe telefona që përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit dhe basteve sportive.
Materialet procedurale u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.