Goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga autori.
Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në zbatim të planit të masave për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që dyshohej se kishte kultivuar bimë narkotike, është organizuar puna për kapjen e tij.
Si rezultat është arrestuar në flagrancë shtetasi A. A., 40 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, Vau i Dejës.
Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të territorit në fshatin Kosmaç, Njësia Administrative Bushat, Vau i Dejës, në serën në pronësi të tij, Policia gjeti të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.