Universiteti i Tiranës akordon Medalje Ari/Argjendi në “Master Ekzekutiv në Kriminalogji”, për 2 punonjësit e Policisë, Drejtues Altin Mena dhe Kryekomisar Oliger Torba

Policia e Shtetit

Universiteti i Tiranës akordon Medalje Ari/Argjendi në “Master Ekzekutiv në Kriminalogji”, për 2 punonjësit e Policisë, Drejtues Altin Mena dhe Kryekomisar Oliger Torba.

Me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda vlerësoi dhe inkurajoi 2 punonjësit e Policisë, me detyra aktuale përkatësisht Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, nëpërmjet një ceremonie të përbashkët me Universitetin e Tiranës që u përfaqësua nga Rektori, z. Artan Hoxha.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtor Proda u shpreh:
“I nderuar Rektor i Universitetit të Tiranës, të nderuar profesorë, të nderuar kolegë, dhe ju të diplomuar,
Është kënaqësi të jemi sot, së bashku, në këtë ceremoni që shënon jo vetëm arritjen akademike të dy oficerëve tanë, por edhe një hap tjetër të rëndësishëm në rrugën e modernizimit dhe civilizimit të Policisë së Shtetit.
Siç e kemi bërë me dije, në Akademinë e Sigurisë, këtë vit, për herë të parë, për punonjësit e Policisë, u hap programi Master Shkencor “Siguria Publike dhe Hetimi i Krimit”, si dhe u shtuan kuotat nga 100 vitin e kaluar në 150 këtë vit për maturantë për Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, dhe 50 kuota për punonjësit e Policisë për rolin e parë drejtues, me qëllim që të rrisim kapacitetet profesionale nëpërmjet shkollimit dhe trajnimeve.
Ne jemi krenarë kur oficerët tanë, qoftë ata që vijojnë masterin në Akademinë e Sigurisë apo për gradën “Nënkomisar”, por edhe ata që vijojnë studimet në universitetet e vendit, krahas përmbushjes së detyrës, vijojnë rrugën e dijes dhe investojnë tek vetja për t’u bërë më të aftë dhe më të përgatitur për sfidat e kohës.
Kjo iniciativë dhe përpjekje për ta hapur Policinë e Shtetit janë dëshmi e seriozitetit tonë si institucion dhe e standardeve që ndërtojmë çdo ditë.
Ju falënderoj zoti Rektor, për iniciativën për këtë ceremoni të përbashkët, përgëzoj për rezultatet ekselente 2 kolegët dhe ju uroj suksese të mëtejshme gjithë Policisë së Shtetit në misionin fisnik në shërbim të qytetarëve dhe të ligjit.
Faleminderit!”

Ndërkaq, Rektori i Universitetit, z. Hoxha, ndër të tjera, tha gjatë fjalës së mbajtur në ceremoni:
“Arsimi është një mënyrë e lidhjes së të gjithë shoqërisë, përfshi edhe veprimtarinë e vështirë të Policisë së Shtetit, dhe që edukimi është pjesë e kujtdo që shërben dhe që ajo që konsiderohet edukim i vazhduar, është dhe rezultati i veprimtarisë së çdo institucioni që universitetin, dijen e shikon si një mundësi për më shumë.
34 punonjës policie në një program me rreth 250 studentë, është një pjesëmarrje dhe një vlerësim i posaçëm që është bërë falë dëshirës së individëve por edhe të mbështetjes që ka ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme, nga Drejtorët, të cilët e shikojnë si një mundësi më shumë edukimin e vazhduar të funksionarëve të Policisë së Shtetit.
2 Drejtues policie të cilët kanë ndjekur programin, njëri është vlerësuar me medalje ari, tjetri është vlerësuar me medaljen e argjendit në programin e studimit Master në Kriminologji. I bëjnë nder vetes, i bëjnë nder institucionit dhe Policisë së Shtetit, por njëkohësisht i bëjnë nder edhe Universitetit të Tiranës.
Ajo që dua t’ju them si një punonjës i vjetër në drejtësi dhe i ri në arsim, është që të ruani me dinjitet uniformën tuaj, bëni detyrën siç duhet dhe respektin e keni edhe atëherë kur nuk duket. Sepse njerëzit, kur janë në nevojë, thonë “polici”, e kanë sharë dy minuta më përpara, por ky është funksioni që ju keni.
Ju nuk duhet të demoralizoheni nga fjalët; ju thjesht bëni detyrën. Jeni shërbyes, ashtu siç ua them edhe gjyqtarëve, nuk keni ndonjë funksion ndryshe nga të tjerët. I shërbeni atyre të cilët kanë nevojë për ju.”

Gjatë ceremonisë, Kryekomisar Torba, shprehu mirënjohje për vlerësimin me Medalje Ari dhe theksoi:
“Mbështetja e posaçme nga Drejtori i Përgjithshëm për një arsimim të denjë të strukturave të Policisë së Shtetit, na motivon për përmbushjen e detyrave funksionale dhe një shërbim më të mirë për qytetarët. Sërish, faleminderit shumë!”

Drejtues Altin Mena, i vlerësuar nga Universiteti, me Medalje Argjendi, shprehu mes emocionesh:
“Dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim për ju dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për organizimin e kësaj ceremonie, e cila do të jetë një nga më mbresëlënëset për mua personalisht. Po ashtu, dua të falënderoj gjithë trupën pedagogjike të Fakultetit të Drejtësisë për angazhimin, përkushtimin dhe seriozitetin me të cilin ata e përcollën këtë program për ne si studentë të tyre.
Gjithashtu, dua të theksoj se, nëpërmjet shkollimit dhe trajnimit të vazhdueshëm, ne jemi në gjendje t’ju ofrojmë një shërbim sa më cilësor dhe profesionist qytetarëve dhe t’i shërbejmë me integritet institucionit ku marrim pjesë. Kështu që ju falënderoj përzemërsisht për organizimin e kësaj ceremonie.”

Vlerësimi për 2 punonjësit, dëshmi e profesionalizmit dhe angazhimit shumëdimensional të punonjësve të Policisë, me qëllim shërbimin sa më të denjë, ndaj qytetarëve, dhe garantimin efektiv të zbatimit të ligjit.