Arrestohet në flagrancë sipërmarrësi i punimeve të një ndërtimi që kryhej pa leje brenda vijës së verdhë.
Shpallet në kërkim pronari i truallit, i cili kishte porositur ndërtimin.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht brenda vijës së verdhë në zonat urbane, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë gjatë kontrollit të territorit në qytetin e Bajram Currit, kanë konstatuar se brenda vijës së verdhë po kryhej një ndërtim pa leje.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve”, i shtetasit A. M., 46 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Senec-Kosovë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në vendin e quajtur “Ish-parku”, lagjja Dardania, në qytetin “Bajram Curri”, u konstatua duke punuar në një objekt në ndërtim, i papajisur me leje ndërtimi nga autoritetet kompentente.
Ky shtetas ishte në rolin e sipërmarrësit për kryerjen e punimeve dhe ndërtimi ishte brenda vijës së verdhë të qytetit të Bajram Currit.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se trualli i ndërtimit rezultonte me certifikatë pronësie në emër të shtetasit F. J., i cili u shpall në kërkim për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi nuk u gjet në banesë gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve”, në ngarkim të shtetasit A. M., dhe për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, në ngarkim të shtetasit F. J.