Tropojë/Informacion për personat e bllokuar nga reshjet e dëborës në Bjeshkën e Javorrit.
Rreth orës 13:05, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë kanë marrë njoftim se disa persona janë izoluar në një stan në Bjeshkën e Javorrit, për shkak të bllokimit të rrugës nga reshjet e dendura të dëborës.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, punonjësit e Policisë Tropojë së bashku me Emergjencat Civile të Bashkisë Tropojë janë nisur drejt vendit të ngjarjes.
Për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe trashësisë së dëborës, që arrinte deri në 70 cm, nuk ka qenë e mundur arritja me automjet në vendin ku ndodheshin personat e bllokuar.
Pas disa orësh ecje në këmbë, shërbimet e bashkisë janë takuar me shtetasin A. S., familjar i personave të bllokuar. Pas komunikimit me personat e bllokuar, u konstatua se ata ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kishin nevojë urgjente për ushqim apo përkujdesje tjetër, pasi do të qëndronin në stan.
U vendos që shërbimet e Policisë dhe të Bashkisë do të nisen drejt Bjeshkës mëngjesin e datës 04.10.2025, në përputhje me dakordësimin e bërë me familjarët e personave të bllokuar.