Tropojë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Dragobia”, sekuestrohen 655 gramë Cannabis Sativa

Tropojë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Dragobia”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Posedonte në banesë, 655 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që dyshohet se do ta trafikonte në Kosovë, arrestohet 25-vjeçari.

Procedohet penalisht nëna e 25-vjeçarit, pasi tentoi të fshihte lëndën narkotike.

Sekuestrohet lënda narkotike.

Komisariati i Policisë Tropojë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Kukës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, me mbështetjen e informacioneve të siguruara në rrugë operative, ka organizuar në drejtimin e Prokurorisë dhe ka finalizuar operacionin policor të koduar “Dragobia”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll në banesën e shtetasit S. M., në fshatin Dragobi, ku gjetën 655 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, të cilën dyshohet se ky shtetas e posedonte me qëllim trafikimin në Kosovë. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi S. M., 25 vjeç, banues në fshatin Dragobi, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Gjithashtu, filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen A. M., 45 vjeçe (nëna e 25-vjeçarit), për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka tentuar të fshehë lëndën narkotike në momentin që shërbimet e Policisë kanë shkuar për kontroll në banesë.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.