Tropojë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Tropojë, në bashkëpunim me DVP Kukës, operacioni policor i koduar “Start 2026”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Kapen në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Astë, duke kryer shitblerjen e 5 kilogramëve kanabis, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike, automjeti me të cilin ishte transportuar dhe një shumë parash.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara për shitblerjen e një sasie lënde narkotike, Komisariati i Policisë Tropojë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Kukës, organizoi dhe finalizoi në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Start 2026”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
– I. M., 22 vjeç, banues në fshatin Astë dhe S. A., 22 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Astë, në momentin kur shtetasi I. M. po i shiste lëndën narkotike, shtetasit S. A.
Qesja me lëndë narkotike kanabis, me peshë 5 kilogramë, që u gjet gjatë kontrollit në automjetin e shtetasit I. M., u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe një shumë parash.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
