Tiranë/Zhvillohen takime me nxënësit, në kuadër të programit “Siguria e të rinjve”

DVP Tiranë

Në kuadër të programit “Siguria e të rinjve”, specialistë të Policisë së Tiranës zhvilluan takime informuese dhe ndërgjegjësuese në disa shkolla të qytetit të Tiranës, me qëllim rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e nxënësve nga fenomenet që rrezikojnë shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Gjatë këtyre bashkëbisedimeve, nxënësit u informuan mbi pasojat ligjore, shëndetësore dhe sociale të përdorimit të lëndëve narkotike, duhanit dhe alkoolit, si dhe mbi format dhe pasojat e bullizmit në ambientet shkollore dhe jashtë tyre.

Specialistët theksuan rëndësinë e zgjedhjeve të shëndetshme, respektimit të njëri-tjetrit dhe raportimit të çdo rasti problematik tek mësuesit, prindërit apo strukturat përkatëse. Nxënësit u nxitën të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi shkollor të sigurt dhe gjithëpërfshirës.

Këto aktivitete synojnë forcimin e bashkëpunimit mes Policisë, institucioneve arsimore dhe komunitetit, në funksion të parandalimit të fenomeneve negative dhe garantimit të sigurisë së të rinjve.