Tiranë – Vijon operacioni “Shtegtimi”

Vijon operacioni “Shtegtimi”.
Shkon në 5 numri i të arrestuarve.
Kapet dhe vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Shtegtimi”, finalizuar një javë më parë nga DVP Tiranë si rezultat i të cilit u vunë në pranga 4 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi O. Gj., pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit O. Gj., 18 vjeç.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, duke përfituar nga situata e pandemisë ‘’COVID-19’’, nëpërmjet kamuflimit, për t’u mundësuar udhëtarëve të ndryshëm vajtjen në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani, kanë përfituar shumën 600 euro për person, duke shmangur detyrimet tatimore, si dhe kanë falsifikuar formularë të testit ‘’COVID-19’’ dhe garanci të destinacionit të vendit pritës.
Vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.