Pas arrestimit të shtetasit Z. N., ditën e djeshme, vihet në pranga një tjetër shtetase e huaj e përfshirë në aktivitetin kriminal të falsifikimit të monedhave.
Gjatë kontrollit në banesën e saj, Policia ka gjetur lastra dhe produkte të tjera që shërbejne për përgatitjen e kartëmonedhave të falsifikuara.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Lastra”, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e falsifikimit të kartëmonedhave dhe tentativës për t’i futur ato në vendin tonë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë bënë arrestimin në flagrancë të shtetases:
– J. Ch., 39 vjeçe, lindur në Zvicër dhe banuese në Tiranë.
Më parë, në kuadër operacionit policor të koduar “Lastra”, janë arrestuar shtetasit J. N., 53 vjeç dhe Z. N., 45 vjeç.
Shtetasja J. Ch., në bashkëpunim me këta dy shtetas, dyshohet se kanë tentuar të fusin në vendin tonë, rreth 1 milion euro të falsifikuara.
Gjatë kontrollit në banesën e kësaj shtetaseje, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, lastra dhe produkte të tjera që shërbejnë për përgatitjen e kartëmonedhave të falsifikuara.
Materialet iu referuan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.