Tiranë/Vijon operacioni mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.
Goditen dy raste të armëmbajtjes pa leje, nga Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe nga Komisariati i Policisë Nr. 7.
Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, krehra dhe municion luftarak, si dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Vihen në pranga 2 shtetas.
Strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat i tyre:
▪️Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në rrugën “Frang Bardhi”, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin E. H., 39 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit, shërbimet e Policisë, i gjetën 39-vjeçarit, një armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak, dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë;
▪️Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në Marqinet, kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin M. M., dhe pasagjer shtetasin A. E., 34 vjeç. Pasagjeri në momentin e ndalimit, nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, por ka tentuar të largohej dhe gjatë tentativës për tu larguar ka hedhur në tokë, një armë zjarri pistoletë.
Dy armët e zjarrit me krëhra e municion luftarak, së bashku me lëndën e dyshuar narkotike kokainë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve E. H., 39 vjeç, banues në Tiranë, dhe A. E., 34 vjeç, banues në Vorë, dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.