Tiranë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, për goditjen e veprimtarive kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave.
Evidentohet dhe goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari.
Sekuestrohet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion se në afërsi të disa shkollave në Laprakë, një shtetas shiste lëndë narkotike, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij, përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat, në rrugën “Gjergj Legisi”, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi F. B., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i kanë gjetur 23-vjeçarit, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në doza, gati për shitje. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndë narkotike kanabis, e ndante në doza, të cilat i shiste më pas në afërsi të shkollave, në zonën e Laprakës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.