Tiranë – Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

Evidentohen dhe goditen dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Shpallen në kërkim 5 shtetas që dyshohen se janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në pranga kryeplaku i fshatit Gropaj dhe dy inspektorë pyjesh, për shpërdorim detyre.

Në zbatim të Planit të Veprimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe pas monitorimit nga ajri me avion, në një sipërfaqe të dyshuar të mbjellur me cannabis sativa, menjeherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë organizuar punën duke vijuar kontrollin masiv të territorit dhe si rezultat, në vendin e quajtur “Kroi i Xhepës”, në fshatin Gropaj, kanë konstatuar një sipërfaqe toke të shpyllëzuar, me 4 parcela të vogla të punuara në formë brazdash.

Gjatë kontrollit në një distancë të afërt u gjetën në nje qese, rreth 200 fara dhe 80 kubikë të dyshuar me lëndë narkotike cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasve R. K., Sh. K., R. K., E. K. dhe D. Sh., të cilët dyshohen se janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Po në lidhje me këtë rast u bë arrestimi i shtetasve: E. N., 41 vjeç, me detyrë kryeplaku i fshatit Gropaj; P. Gj. dhe A. A., me detyrë inspektorë pyjesh, pasi nuk kanë informuar në Polici për territorin që mbulonin.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, gjatë kontrollit të ushtruar në Malin e Zallherrit, në një zonë të pyllëzuar pa rrugë kalimi, u gjetën tri parcela të vogla me 149 rrënjë të mbjella, të dyshuara narkotike cannabis sativa. Ndërkohë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.