Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme bënë ndalimin e shtetasit G. M., 17 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit P. Ç., 62 vjeç, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një shtetase të mitur 15 vjeçe.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë ekzekutimin e vendimit penal për shtetasin në kërkim P. H., 48 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Xh. M., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një shufër hekuri si ato që përdoren nga Policia.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagarancë të shtetasve:
– R. H., 47 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes;
– A. Q., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”. Ky shtetas, pasi është konfliktuar me pronarin e një hoteli, nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për të treguar dokumentin e identifikimit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit I. M., 35 vjeç, pasi ka tentuar të vjedhë një shumë parash në një pikë këmbimi valutor në pronësi të shtetasit A. Gj.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë së shtetasit A. Xh., 20 vjeç, pasi u kap duke drejtuar motomjetin e tij, pa leje drejtimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.