Tiranë – Vihen në pranga 4 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale

Tiranë

Vihen në pranga 4 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin M. P., 32 vjeç, banues në Itali, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimit Kibernetik ndaluan shtetasin M. H., 37 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Përshtatja e ambienteve për lojëra të palejuara” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kapën shtetasin në kërkim L. Xh., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale “Vjedhja”.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 ndaluan shtetasin I. T., 55 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur një celular, në një dyqan në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin R. Xh., 70 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”, pasi ka bërë kallëzim shtetasi B. S. se shtetasi R. Xh. ka mjekuar në mënyrë të pakujdesshme në klinikën e tij private, djalin 3-vjeçar të shtetasit B. S., i cili pas mjekimit në këtë klinikë ka shfaqur komplikacione dhe pas 3 ditësh, ka humbur jetën, në spital.

Më datë 05.10.2023, rreth orës 10:10, është marrë njoftim se në rrugën “Prokop Mima” dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse në vetratën e lokalit të shtetases Sh. Gj. dhe si pasojë janë dëmtuar xhamat e vetratës, si dhe xhami i një automjeti që ndodhej i parkuar.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.