Tiranë – Vihen në pranga 12 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër, për vepra të ndryshme penale

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar ndaluan shtetasit:

  • T. T., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”;
  • M. L., 37 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose vizave”, të kryera në bashkëpunim.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin E. P., 37 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit në automjetin që ky shtetas drejtonte, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kokainë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin K. L., 27 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka tentuar të vjedhë një automjet në rrugën “Muhamet Deliu”. Gjatë kontrollit fizik të 27-vjeçarit, iu gjet dhe iu sekuestrua një pincë multifunksionale me të cilën dyshohet se ka tentuar të vjedhë këtë automjet.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit:

  • E. M., 25 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi;
  • S. K., 56 vjeç, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka goditur një automjet tjetër dhe për pasojë, ka shkaktuar vetëm dëme materiale;
  • J. I., 48 vjeç, E. D., 33 vjeç, E. M., 26 vjeç, të tre banues në Tiranë, pasi u kapën duke drejtuar automjetin përkatës, në gjendje të dehur;

– B. B., 26 vjeç, banues në Kamzë, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, në mënyrë të parregullt dhe sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka hedhur në tokë, një qese me lëndë të dyshuar narkotike. Gjithashtu ky shtetas nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për kryerjen e veprimeve procedurale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vorë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht, me fjalë, një shtetase të mitur.

Në Komisariatin e Policisë Nr. 2 është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasi B. Sh. (M)., 82 vjeç, se është larguar nga banesa djali i tij, shtetasi P. Sh., 41 vjeç, dhe nuk është kthyer më. Sipas deklarimeve të shtetasit B. Sh. (M)., 41-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor. Punohet për gjetjen e tij.

Në Komisariatin e Policisë Kavajë është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasja M. M., 48 vjeçe, se është larguar nga banesa bashkëshorti i saj, shtetasi F. M., 49 vjeç, dhe nuk është kthyer më. Sipas deklarimeve të shtetases M. M., 49-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor. Punohet për gjetjen e tij.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore, të kryera në lidhje me tubimin e zhvilluar në datën 13 shkurt 2023, arrestuan shtetasit:

  • J. D., 36 vjeç, banues në Tiranë, të shpallur në kërkim për llogari të Komisariatit të Policisë Krujë dhe D. P., 19 vjeç, banues në Thumanë.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori dhe u procedua në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një 16-vjeçar, si dhe u shpall në kërkim shtetasi G. A., 30 vjeç.

Këta shtetas, gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, kanë kryer veprime të kundërligjshme dhe kanë hedhur lëndë piroteknike (flakadanë dhe kapsolla) në drejtim të shërbimeve të Policisë në detyrë. Si pasojë e këtyre veprimeve, janë dëmtuar 2 punonjës policie, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme, gjatë tubimit të datës 13 shkurt 2023.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.