Tiranë/Vihen në pranga 12 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasit:
- F. V., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë;
- E. Xh., 29 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin F. L., 30 vjeç, banues në Tiranë, pasi për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tij, si dhe me vetëgjyqësi ka tentuar të dëmtojë murin e banesës së tyre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin R. S., 36 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 ndaluan shtetasit I. H., 34 vjeç dhe Sh. H., 52 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar secilin prej tyre, me 6 muaj burgim, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin D. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka vjedhur disa mallra në një dyqan në rrugën “Thoma Koxhaj”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 arrestuan shtetasin A. D., 36 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator dhe drejtues teknik i një firme, pasi ditën e djeshme, rreth orës 16:00, në fshatin Picar, Vorë, duke punuar në një objekt që ndërton kjo firmë, ka rënë nga lartësia shtetasi Xh. B., 38 vjeç, banues në Tiranë, i cili si pasojë aktualisht ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:
- A. B., 46 vjeç, banues në Kamëz, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi;
- G. D., 59 vjeç, banues në Paskuqan, Kamëz, pasi duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur, është përplasur me motomjetin Z. Ll., 63 vjeç. Si pasojë janë dëmtuar dy drejtuesit e motomjeteve, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën;
- Sh. Sh., 31 vjeç, banues në Kamëz dhe S. H., 45 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kapën duke drejtuar automjetet përkatëse, në gjendje të dehur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.