Tiranë – Vihen në pranga 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale

Tiranë

Vihen në pranga 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Seksionit të Kërkimit kapën shtetasin K. A., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, per veprat penale “Përvetësimi i mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të rendit publik”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 ndaluan shtetasin J. Gj., 35 vjeç, banues në Kurbin, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, arrestuan shtetasin K. Xh., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit:

  • J. D., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
  • Z. N., 34 vjeç, dhe A. B., 34 vjeç, pasi për motive të dobëta, në spitalin “Nënë Tereza”, kanë goditur me grushte shtetasit E. B., dhe A. R.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasit:

  • M. S., 26 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte, shërbimet e Policisë, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një pajisje elektroshok;
  • A. K., 50 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit:

  • L. S., 50 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;

– K. Sh., 37 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, është përplasur me tre automjete të parkuara, dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale.

Në Komisariatin e Policisë Nr. 4 është paraqitur shtetasi A. Xh., 55 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka kallëzuar se është larguar nga banesa vjehrri i tij, shtetasi A. Ç., 83 vjeç. Punohet për gjetjen e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.