Tiranë/Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike.
U kap në flagrancë duke marrë një pako me lëndë narkotike cannabis sativa me përqindje të lartë TCH, që ishte trafikuar nga SHBA, nëpërmjet shërbimit postar, vihet në pranga 23-vjeçari.
Sekuestrohen 917 gramë cannabis sativa me përqindje të lartë TCH (me vlerë rreth 20 000 euro), një shumë e konsiderueshme parash dhe 7 celularë.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, si rezultat i hetimeve disamujore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Dërgesa”.
Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi italian M. M., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një degë postare, duke marrë një pako me rreth 475 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga SHBA.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar 442 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një shumë e konsiderueshme parash dhe 7 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.