Tiranë/Transportonte me automjet, me qëllim shitjen, pako me fishekzjarre dhe kapsolla, arrestohet 22-vjeçari

Tiranë/Vijojnë kontrollet në kuadër të operacionit policor “Fireworks”, kundër posedimit/shitjes së lëndëve piroteknike, në kundërshtim me rregullat dhe kriteret.

Transportonte me automjet, me qëllim shitjen, pako me fishekzjarre dhe kapsolla, të dyshuara të kontrabanduara, arrestohet në flagrancë, në bulevardin “Bajram Curri”, 22-vjeçari.

Sekuestrohen pakot me lëndë piroteknike dhe automjeti me të cilin transportoheshin.

Në vijim të zbatimit të planit të masave, të hartuar në prag të festave të fundvitit, me objektiv parandalimin dhe goditjen e rasteve të posedimit ose transportimit të lëndëve piroteknike, me qëllim shitjen e kundërligjshme, si pasojë, të rrezikshme të tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bulevardin “Bajram Curri”, ndaluan për kontroll, automjetin që drejtonte shtetasi S. M., 22 vjeç.

Nga kontrolli në automjet u gjetën pako me lëndë piroteknike (fishekzjarre dhe kapsolla) që do të shiteshin në kundërshtim me kriteret. Gjithashtu, 22-vjeçari nuk dispononte fatura blerjeje për këto mallra.

Në përfundim të veprimeve procedurale në lidhje me rastin, 22-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”.

Kontrollet vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.