Tiranë – Shkon në 15 numri i drejtuesve të mjeteve që kanë rezultuar nën efektin e drogave, pas testimit me aparatin AquilaScan

Tiranë/Policia Rrugore vijon kontrollet e dedikuara për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Shkon në 15 numri i drejtuesve të mjeteve që kanë rezultuar nën efektin e drogave, pas testimit me aparatin AquilaScan.

Gjithashtu, janë vendosur 984 masa masa administrative për mosdhënie përparësie këmbësorëve, për shpejtësi tej normave të lejuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.

Nisur nga sjelljet agresive të drejtuesve të mjeteve, Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar testet e drogës për drejtuesit e mjeteve që shfaqin sjellje agresive në rrugë dhe kundërshtojnë punonjësit e Policisë.

Si rezultat i kontrolleve intensive, gjatë 24 orëve të fundit, janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, të cilët pas testimit me aparatin drogë-testues, rezultuan se drejtonin automjetet, nën efektin e lëndëve narkotike.

Në rrugën “Lekë Dukagjini”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar mjetin me drejtues shtetasin D. D., 21 vjeç, ndërsa në rrugën “Kristo Luarasi”, kanë ndaluar mjetin me drejtues shtetasin D. D., 22 vjeç.

Gjatë kontrollit fizik ndaj pasagjerit në mjetin që drejtonte shtetasi D. D., 22 vjeç, shtetasit R. C., 22 vjeç, i cili nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë për kontroll, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve është bërë arrestimi në flagrancë i drejtuesve të mjeteve, sepse pas testimit me AquilaScan kanë rezultuar se drejtonin mjetet nën efektin e lëndëve narkotike. Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë pasagjeri, shtetasi R. C., për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, sepse është e vendosur për të ndëshkuar cilindo drejtues automjeti që do të konstatohet në shkelje, nga shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat tashmë kanë mjete logjistike bashkëkohore në dispozicion.

Policia Rrugore fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë.