Tiranë/Policia zhvillon aktivitete sensibilizuese në kuadër të programit “Siguria e të Rinjve”

Tiranë/Vijojnë aktivitetet sensibilizuese në kuadër të programit “Siguria e të Rinjve”

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në kuadër të programit “Siguria e të Rinjve”, vijon zhvillimin e takimeve sensibilizuese në disa shkolla 9-vjeçare të kryeqytetit, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e sigurisë tek fëmijët dhe të rinjtë.

Gjatë këtyre sesioneve ndërvepruese, punonjësit e Seksionit të Policimit në Komunitet zhvillojnë bashkëbisedime informuese me nxënësit, duke u ndalur në tema të rëndësishme si:
-parandalimi i dhunës dhe i bullizmit;
-siguria rrugore dhe respektimi i rregullave të qarkullimit;
-siguria në internet dhe mbrojtja e të dhënave personale;
-pasojat e përdorimit të duhanit, alkoolit apo lëndë narkotike.

Nxënësit përfshihen aktivisht përmes pyetjeve dhe diskutimeve, ndërsa punonjësit e Policisë theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin shkollor për krijimin e një mjedisi sa më të sigurt, edukues dhe mbështetës për fëmijët dhe të rinjtë.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë do të vijojë këto aktivitete sensibilizuese në kuadër të programit “Siguria e të Rinjve”, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të forcuar besimin mes nxënësve dhe strukturave të Policisë së Shtetit.