Tiranë – Policia Rrugore vijon monitorimet dhe kontrollet intensive në akset rrugore

Tiranë

Policia Rrugore e Tiranës vijon monitorimet dhe kontrollet intensive për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Fokusi i kontrolleve: evidentimi dhe ndëshkimi i shtetasve që drejtojnë automjetet, në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur, dhe lirimi i hapësirave të zëna nga automjetet e parkuara/të ndaluara në mënyrë të parregullt.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës, në zbatim të masave shtesë të ndërmarra me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, kanë vijuar kontrollet në akse të ndryshme rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve, që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor apo zënë hapësirat e dedikuara për lëvizjen e lirë të automjeteve.

Nga kontrollet e kryera gjatë 24 orëve të fundit, janë arrestuar/ndaluar 3 drejtues mjetesh, konkretisht:

-në rrugën “Teodor Keko”, është ndaluar automjeti me drejtuese shtetasen M. K., pasi po përdorte celularin. Pas verifikimeve rezultoi se kjo shtetase kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”;

-në bulevardin “Gjergj Fishta”, është ndaluar automjeti me drejtues shtetasin K. M., i cili po përdorte celularin. Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se ai po e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur. Për të shmangur ndëshkimin ligjor, ky shtetas i ka ofruar punonjësit të Policisë, 50 euro;

-në rrugën “Ali Shefqeti”, është ndaluar për kontroll automjeti me drejtues shtetasin B. L. Nga verifikimet rezultoi se automjeti ishte pa kontroll teknik dhe ky shtetas nuk kishte me vete lejen e drejtimit. Nga verifikimet e kryera më tej rezultoi se shtetasi B. L. ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve, në rrugën “Komuna e Parisit”, është zhvendosur me karrotrec një automjet që pengonte lëvizjen e lirë të automjeteve të tjera, si dhe është ndëshkuar me 2 masa administrative (në total 95 000 lekë), drejtuesi i një automjeti që nuk i është bindur 2 herë urdhrit të punonjesit të Policisë, për të ndaluar.

Kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset rrugore.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos pengojnë lëvizjen e mjeteve të tjera, duke parkuar/ndaluar automjetet, në vende ku nuk lejohet.

Gjithashtu, apelon për të gjithë qytetarët, që për çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, sipas Kodit Rrugor.