Tiranë – Plan masash për matjen e nivelit të zhurmave në subjekte

DREJTORIA VENDORE E POLICISË TIRANË

Policia e Tiranës nis kontrollet intensive për matjen e nivelit të zhurmave me qëllim parandalimin e ndotjes akustike dhe garantimin e qetësisë publike.

Komisariatet në varësi të DVP Tiranës ka nisur zbatimin e një plani të posaçëm për monitorimin dhe matjen e nivelit të zhurmës në lokale apo ambiente që gjenerojnë muzikë të lartë, me qëllim parandalimin e ndotjes akustike dhe garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për qytetarët.

Plani i masave është ndërmarrë me iniciativë nga Policia e Tiranës por gjithashtu dhe si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj shqetësimeve të ngritura nga qytetarët për tejkalimin e normave të lejuara të zhurmës, veçanërisht në zonat e banuara dhe gjatë orëve të natës.

Matjet po kryhen me pajisje të certifikuara, në përputhje me standardet ligjore dhe teknike për kontrollin e ndotjes akustike.

Masat administrative për subjektet e konstatuara në shkelje variojnë nga 2 milion lekë deri në 4 milion lekë, dhe në rast përsëritje deri në pezullimin e aktivitetit.

Si rezultat i verifikimeve të deritanishme, është konstatuar një subjekt që operonte në kundërshtim me normat e përcaktuara ligjore për nivelin e zhurmës. Ndaj këtij subjekti është vendosur një masë administrative me gjobë, në vlerë 3 milion lekë, sipas legjislacionit në fuqi.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë garanton vijimin e kontrolleve në mënyrë të pandërprerë dhe u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të ndotjes akustike përmes numrit pa pagesë 112 apo pranë komisariateve përkatëse.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar në forcimin e partneritetit me komunitetin dhe në ofrimin e shërbimeve që garantojnë rend, siguri dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët.