Tiranë/Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e krimit ekonomik.
Përvetësoi shuma të ndryshme parash nëpërmjet mashtrimit, ndalohet 34-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, pas kallëzimeve të marra se një shtetas përvetësonte shuma të konsiderueshme parash me anë të mashtrimit, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përballë përgjegjësisë ligjore dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Përsëritësi”.
Si rezultat i tij u ndalua shtetasi S. K., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, parashikuar nga nenet 143/2 dhe 236 të Kodit Penal.
Ky shtetas dyshohet se nëpërmjet mashtrimit ka përvetësuar shuma të ndryshme parash nga disa shtetas. Ditën e djeshme, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi por 34-vjeçari nuk është bindur ndaj urdhrave të tyre dhe ka devijuar rrugën duke rënë në lumin Lana.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.