Tiranë/Ndoti mjedisin, duke hedhur mbeturina nga automjeti, ndëshkohet me gjobë, 32-vjeçari

Tiranë/Ndoti mjedisin, duke hedhur mbeturina nga automjeti me të cilin lëvizte, ndëshkohet me 100 000 lekë gjobë, 32-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, në të cilën shfaqej një shtetas duke hedhur mbeturina nga dritarja e automjetit në lëvizje, ku ishte pasagjer, kryen verifikimet për nxjerrjen e këtij shtetasi, përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i verifikimeve u identifikua shtetasi që kreu shkeljen, konkretisht K. B., 32 vjeç, i cili u shoqërua në ambientet e Komisariatit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Në përfundim të këtyre veprimeve, në zbatim të nenit 351 të VKM nr. 153, datë 07.04.2000, dhe nenit 15 të Kodit Rrugor, 32-vjeçari u ndëshkua me masë administrative gjobë 100 000 lekë.

Gjithashtu, materialet procedurale për këtë rast iu referuan Prokurorisë së Tiranës, me qëllim vlerësimin juridik të mëtejshëm.