Tiranë – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Finalizohet operacioni i koduar “Location”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

U kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 45-vjeçari me precedent të mëparshëm penal.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Location”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

•S. N., 45 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Shtetasi S. N., në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar (dyshohen shtetas të huaj), dyshohet se kundrejt shpërblimit monetar, ka marrë në mjetin e tij privat, 17 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.