Tiranë – Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, një rast i shitjes së dozave të Cannabisit

Tiranë/Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, një rast i shitjes së dozave të Cannabisit.

U kap në flagrancë me një sasi Cannabisi, që e posedonte me qëllim shitjen në doza, në Kombinat, vihet në pranga 25-vjeçari.

Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike dhe automjeti që përdorte 25-vjeçari, për këtë veprimtari kriminale.

Në kuadër të goditjeve të njëpasnjëshme kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.

Për këtë rast, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Gj., 25 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shërbimet e Policisë kanë ndaluar në rrugën “Shaban Bardhoshi”, automjetin që drejtonte shtetasi A. Gj., në të cilin, gjatë kontrollit u gjetën 170 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas siguronte sasi kanabisi, e ndante në doza, në banesë, dhe i shiste ato në zona të ndryshme në Kombinat.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.