Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 7 shtetas, dy prej tyre të shpallur në kërkim.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 18 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”. Gjithashtu, ky shtetas, më datë 31.01.2021, ka tentuar të vjedhë në biznesin e shtetases E. M. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi u gjet një armë e ftohtë (dorezë metalike), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë, bënë ndalimin e shtetases M. H., 33 vjeçe, banuese në Bulqizë, të cilën Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me një muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja” e mbetur në tentativë.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Xh. P., 26 vjeç, banues në Berat, pasi ka përndjekur një shtetase, për një periudhë 3-javore.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. S., 25 vjeç, pasi në rrugën “Koli Koçi”, ka ofenduar dhe goditur për shkak të detyrës një punonjës të policisë së rendit publik, për vendosjen e një mase administrative për parkim të gabuar të mjetit.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
K. H., 20 vjeç dhe A. I., 29 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse pa leje drejtimi;
E. P., pasi në rrugën “Tre Dëshmorët” u kap në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.55 mg/l.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.