Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 6.
Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Vihet në pranga 31-vjeçari që i posedonte, i dënuar më parë për shkatërrim prone.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mbante armë zjarri në banesë, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Yrsheku”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– L. Z., 31 vjeç, banues në Yrshek, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, në rrugën “Mihal Duri”, në Yrshek, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.