Finalizohet operacioni policor i koduar “Tranzit 3”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve.
Operacioni, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6 dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Vihet në pranga 1 shtetas që u kap në flagrancë duke transportuar 3 emigrantë të paligjshëm.
Shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tij.
Procedohen penalisht edhe 3 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6 dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin transport të emigrantëve të paligjshëm, nga Tirana në drejtim të Kukësit, me qëllim kalimin e tyre në Kosovë, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “Tranzit 3”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. S., 17 vjeç, banues në Morinë, Kukës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:
– G. M., 18 vjeç, banues në Kukës, me precedent të mëparshëm penal, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim;
– L. T., 21 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugën Tiranë-Vorë, duke transportuar me një automjet 3 emigrantë të paligjshëm, nga Tirana në drejtim të Kukësit, me qëllim kalimin e tyre në Kosovë, me destinacion final vendet e BE-së.
Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, drejtuesi i mjetit nuk ka ndaluar dhe ka tentuar të largohet. Pas ndalimit të automjetit shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë drejtuesin e automjetit shtetasin A. S., së bashku me 3 emigrantët e paligjshëm. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit G. M. dhe L. T., të cilët duke përfituar nga errësira kanë mundur të largohen. Vijon puna për kapjen e tyre.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 3 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.