Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 4, për goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetas që ushtronte këtë veprimtari.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skedina”, në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
– J. R., 26 vjeç, banues në rrugën “Siri Kodra”.
Ky shtetas kishte përshtatur lokalin në pronësi të tij në rrugën “Xhanfize Keko”, për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një kompjuter që dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.