Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Shantazhi”

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shantazhi”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6.

Përndiqte një shtetase dhe e shantazhonte, që t’i jepte para për mospublikimin e disa fotove dhe videove, vihet në pranga 27-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas kallëzimit të marrë nga një shtetase 22 vjeçe, se një shtetas i kishte marrë shuma të ndryshme parash dhe e shantazhonte vazhdimisht që ti jepte para të tjera, që të mos i publikonte disa foto dhe video, në rrjetet sociale, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorit të dyshuar.

Gjatë operacionit policor të koduar “Shantazhi”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– K. K., 27 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi K. K. i kishte marrë shuma të ndryshme parash në mënyrë të vazhdueshme, 22-vjeçares, të cilën e përndiqte dhe e shantazhonte vazhdimisht që t’i jepte shuma të tjera parash, për mospublikimin e disa fotove dhe videove që ai dispononte.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.