Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Rezultati”.
Zbulohet një lokal në rrugën “Petro Nini Luarasi”, ku luheshin lojëra fati me makineta dhe me celularë.
Arrestohen 3 shtetas (administratori i lokalit dhe 2 klientë).
Sekuestrohen 5 makineta, 4 celularë dhe 50 000 lekë.
Si rezultat i kontrolleve të mbështetura tek inteligjenca policore, me objektiv goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, Komisariati i Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike, finalizoi operacionin “Rezultati”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit M. D., 21 vjeç, A. Z., 24 vjeç dhe Xh. Gj., 21 vjeç.
Nga kontrollet në lokalin që administronte shtetasi M. D., u konstatua se ambienti ishte përshtatur me makineta dhe me celularë, që shërbenin për lojëra fati dhe për vënien e basteve sportive. Në lokal u kapën në flagrancë, duke luajtur, 2 të arrestuarit e tjerë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.