Tiranë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2 operacioni policor i koduar “Poker 2”.
Arrestohen në flagrancë 11 shtetas që u kapën në flagrancë duke organizuar lojëra në kundërshtim me ligjin, në një lokal në rrugën “Andon Zako Çajupi”.
Procedohen në gjendje të lirë 7 shtetas të tjerë për moskallëzim krimi.
Sekuestrohen 1 tavolinë pokeri dhe çipsa, aparate celulare, dhe shuma të ndryshme parash të përfituara nga kjo veprimtari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Poker 2”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
Y. L., 24 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, parashikuar nga nenet 197 dhe 197 të Kodit Penal;
E. F., 43 vjeç, N. P., 49 vjeç, F. R., 58 vjeç, R. N., 32 vjeç, A. T., 25 vjeç, M. N., 46 vjeç, H. B., 23 vjeç, R. K., 26 vjeç, E. V., 38 vjeçe, dhe C. M., 56 vjeç, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, parashikuar nga neni 197 i Kodit Penal.
Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit E. N., 18 vjeç, F. P., 39 vjeç, K. N., 36 vjeç, K. P., 21 vjeç, A. Sh., 34 vjeçe, D. Gj., 33 vjeç, dhe H. D., 35 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Gjatë kontrolleve të ushtruara, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë duke luajtur lojëra fati në kundërshtim me ligjin, shtetasit e arrestuar, në një lokal në administrim nga shtetasi Y. L., ndërsa 7 shtetasit e proceduar në gjendje të lirë, kanë pasur dijeni për ushtrimin e kësaj veprimtarie, dhe nuk e kanë kallëzuar pranë organeve kompetente.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 tavolinë pokeri dhe çipsa, aparate celulare, dhe shuma të ndryshme parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.