Finalizohet operacioni policor i koduar “Outside”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6.
Shkelte masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ushtronte përsëri këtë veprimtari kriminale, vihet në pranga 32-vjeçari.
Sekuestrohet lëndë narkotike e llojit cannabis sativa, një pjesë e ndarë në doza.
Specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Outside”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– A. K., 32 vjeç, banues në Vaqarr.
Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Kodër Shkretë”, me doza me lëndë narkotike cannabis sativa.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se pasi siguronte sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, 32-vjeçari e shiste më pas atë, në doza të vogla, kryesisht në zonën e Vaqarrit dhe të Kombinatit.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës të shtetasit A. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.